SONTE ZBRESIN NË FUSHË ATLETIKO MADRID-REAL MADRID DHE JUVENTUS-MONAKO. Champions League rikthehet me sfidat e para çerekfinale, ku Juventusi do të ndeshet ndaj Monakos,

ndërsa një super sfidë, dy ekipet finaliste të sezonit të kaluar, derbi madrilen Atletiko-Real Madrid do të zhvillohet në ‘Vicente Calderon’.  Dëshira për të marrë hak në kampin bardhëkuqe kuptohet është tepër e madhe, megjithatë situata tashmë ka ndryshuar ndjeshëm dhe gjatë këtij muaji Reali e ka marrë veten dukshëm dhe e ka lënë pas atë moment negativ të katër javëve më parë. Megjithatë, trajneri italian i kampionëve në fuqi, Ancelotti, e sheh si problem përballjen kundër Simeone-s, të cilin nuk ka arritur ta mposhtë në gjashtë ndeshjet e fundit. “Çfarë mund të them për Simeonen? Ai është një trajner i madh, i cili më pëlqen shumë. Ai e ka dëshmuar veten dhe është njëri ndër më të mirët në botë. Është nder që të përballem me të, por gjithashtu edhe problem. Objektivi ynë nuk është që ta mposhtim Atletikon, por që të ëndërrojmë për ta fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ancelott-i. Ndërkohë, argjentinasi i Atletikos, Simeone, ka pranuar superioritetin e Realit për sa i përket lojtarëve në ekip, por insiston se grupi i “los colchoneros” do të triumfojë.  “Është e vërtetë se në disa pozicione në fushë ata kanë lojtarë të talentuar, por unë mendoj se lojtarët e mi kanë karakteristika të ndryshme dhe secili ka diçka që e bën ekipin më të mirë”, ka thënë Simeone.