ATLETIKO MADRID KALON NË ÇEREKFINALE FALË PENALLTIVE. Pavarësisht fitores 0-2 në Francë ndaj Monakos, Arsenali është eliminuar nga Champions League, pasi ndeshja e parë në Londër kishte përfunduar me rezultatin 3-1 për francezët dhe një gol më shumë në fushë kundërshtare i dha atyre mundësinë për të qenë në një ndër 8 ekipet më të mira të Europës. Giroud dhe Ramsey ishin dy autorët e golave, të cilët në këtë ndeshje nuk patën vlerë.

Londinezët bënë të gjitha përpjekjet për të shënuar edhe golin e tretë, i cili do t’i jepte atyre mundësinë për të kaluar në fazën tjetër, por nuk e arritën. Tashmë këtë të drejtë e fitoi Monako, e cila mund të cilësohet si surpriza e këtij turni në Champions League.  Ndërkohë, në ndeshjen tjetër, atë mes Atletikos së Madridit dhe Leverkusenit, koha e rregullt nuk mjaftoi për të vendosur ekipin e kualifikuar, madje as shtesa prej 30 minutash, por pas gjuajtjeve të penalltive ishte Atletiko e Madridit ekipi i kualifikuar për në çerekfinale. Koha e rregull përfundoi me të njëjtin rezultati si ndeshja e parë, 1-0, ku për spanjollët shënoi Mario Suarez që në pjesën e parë. Në 90 minutat e kohës së rregullt ky rezultat mbeti i pandryshuar dhe ndeshja shkoi në shtesë. Edhe në 30 minutat e luajtura, dy herë nga 15, rezultati mbeti i pandryshuar. Në ekzekutimin e penalltive, vendasit u treguan më të saktë duke realizuar tre 11-metërsha ndaj dy të gjermanëve.  Ndërkohë sonte do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të fazës së 1/8-ave. Dortmund do të presë Juventusin në “Iduna Park”, ku ndeshja e parë ka përfunduar 2-1 në favor të italianëve. Ndërsa në “Camp Nou” Barcelona do të kërkojë kualifikimin ndaj Mançester Sitin. Ndeshja në Angli ka përfunduar 2-1 për spanjollët.