
Vllaznia po përgatitet për sfidën e kthimit ndaj Vikingur në Islandë, por jo gjithçka po shkon sipas planit për kuqeblutë. Klubi shkodran ka një shqetësim më vete për ndeshjen e kthimit ndaj Vikingur Reykjavik. Kështu, përveç të dëmtuarve aktualë, me skuadrën nuk dihet ende nëse do të jenë dy sulmuesit afrikanë, Bismark Charles dhe Alfred Mensah, kjo për shkak të problemeve me vizat. Të dy futbollistët kanë qenë për të kryer procedurat për aplikimin e vizave, por ende nuk është kthyer një përgjigje. Burime pranë klubit shkodran bëjnë me dije për “Star Plus” se procedurat për pajisjen me vizë për dy futbollistët nuk janë përfunduar ende, duke vendosur në dilemë trajnerin Edi Martini në prag të një ndeshjeje kaq delikate. Të dy futbollistët janë pjesë e planeve të stafit teknik, por nëse situata nuk zgjidhet në kohë, ata rrezikojnë të mos jenë të gatshëm për përballjen në Reykjavik. Kjo situatë krijon një shqetësim më shumë për Vllazninë, që përveç dëmtimeve të futbollistëve të ndryshëm, tani duhet të menaxhojë edhe mungesat e mundshme për arsye të tjera, në një sfidë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Klubi është duke punuar intensivisht për të zgjidhur çështjen sa më parë, me shpresën që Charles dhe Mensah të udhëtojnë me skuadrën drejt Islandës. Në fakt, futbollistët afrikanë kanë shumë probleme me çështjen e vizave, teksa ata nuk e kanë për herë të parë që iu ndodh një gjë e tillë. Afrikanët kanë pasur gjithmonë probleme me vizat, ndërsa shpresohet se çështja e Charles dhe Mensah do të zgjidhet në ditët në vazhdim. Gjithçka mbetet për t’u parë në orët në vijim, por ajo që është e sigurt, është se Vllaznia ka një “ndeshje” shtesë jashtë fushës, atë të burokracive të vizave. Ndërkohë, UEFA ka zyrtarizuar emrat e gjyqtarëve që do të arbitrojnë ndeshjen e kthimit mes Vikingur Reykjavik dhe Vllaznisë, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Përballja që do të luhet më 31-korrik në orën 20:45 në Islandë, do të gjykohet nga një treshe hungareze. Mihaly Kapraly do të jetë gjyqtari kryesor i sfidës, ndërsa do të assistohet nga Vencel Toth dhe Balazs Buzas. Gjyqtari i katërt i ndeshjes do të jetë Imre Kovacs, po ashtu nga Hungaria. Përballja pritet të jetë shumë e rëndësishme për fatin europian të kuqebluve, që do të kërkojnë ruajtjen e rezultatit pas fitores 2-1 në “Loro Boriçi”. Emërimi i një trupe gjyqtarësh me përvojë ndërkombëtare shihet si garanci për një ndeshje të drejtë dhe pa kontestime. Tashmë Vllaznia është fokusuar maksimalisht në këtë sfidë, ndërsa vëmendje e veçantë do t’i kushtohet çdo detaji, përfshirë edhe aspektin arbitral që mund të ketë ndikim në ecurinë e takimit.






