Në 40 vende shitja e cigareve elektronike ndalohet, në 12 madje është ndaluar edhe përdorimi, ndërsa në shumicën e vendeve të botës cigarja elektronike nuk lejohet në ambiente të mbyllura.

Cigarja elektronike është bërë temë diskutimi në komunitetin ndërkombëtar në vitet e fundit për sa i përket dobisë së saj.

Por Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) në Angli tashmë po shkon drejt përshkrimit të cigareve elektronike si një metodë e miratuar për ndërprerjen e duhanit dhe kjo do ta bëjë atë vendin e parë në botë që do të përdorë cigaret elektronike si një produkt medicinal.

Në fakt, Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) ka ftuar tashmë kompanitë të paraqesin aplikime për të përfshirë produktet e tyre në listën e NHS.

Ndërprerja e cigares klasike

Është fakt se pirja e duhanit në Angli është një nga problemet më të mëdha shëndetësore pasi çdo vit rreth 64,000 njerëz vdesin për shkak të pirjes së duhanit.

Sipas shifrave të fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), 14.1% e të rriturve, ose pothuajse 7 milionë njerëz, në Mbretërinë e Bashkuar janë duhanpirës. Kjo përqindje ka ardhur në rënie vitet e fundit në ndryshim nga përqindja e përdoruesve të cigareve elektronike.

Është vlerësuar se më shumë se 3.5 milionë njerëz përdorin cigare elektronike dhe kjo është zgjidhja më e popullarizuar për ish-duhanpirësit si një fazë kalimtare në përpjekjen e tyre për të lënë duhanin.

Më pak njerëz zgjedhin mënyra të tilla si çamçakëz nikotine. Qeveria britanike dëshiron t’i japë një shtysë këtij trendi. Ministri i Shëndetësisë Saanjid Javid u shfaq optimist “që cigaret elektronike me recetë kanë potencialin për të ulur normat e pirjes së duhanit në të gjithë vendin”.

Të mirat dhe të këqijat e cigareve elektronike

Argumenti kryesor i atyre që janë pro e-cigares si produkt medicinal është se duhanpirja e cigares elektronike ka rezultuar të jetë shumë më pak e dëmshme në krahasim me duhanin tradicional.

Hulumtimet e mëparshme nga Organizata e Shëndetit Publik (PHE) tregojnë se cigaret elektronike janë 95% më pak të dëmshme për shëndetin, sesa produktet tradicionale të duhanit. Kjo për faktin se nuk përmban dy nga përbërësit më toksikë të duhanit, katranin dhe monoksidin e karbonit.

Nga ana tjetër, disa shkencëtarë janë të shqetësuar se lëngjet e përdorura në cigaret elektronike janë zbuluar se shkaktojnë substanca që mund të dëmtojnë qelizat imune të mushkërive dhe të shkaktojnë inflamacion.

Autoriteti Rregullator i Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) ka sqaruar se cigaret elektronike farmaceutike do t’i nënshtrohen kontrolleve edhe më të rrepta, krahasuar me cigaret e tjera elektronike në treg.

Artikulli paraprakTË ÇARA MISTERIOZE TË TOKËS NË NJË RAJON TË TURQISË, BANORËT TË SHQETËSUAR SE…
Artikulli tjetërINTELIGJENCA AMERIKANE: ORIGJINA E COVID-19 MUND TË MOS MËSOHET KURRË