,SHTËPITË NË PORT VILA JANË SHKATËRRUAR DHE BANORËT KANË MARRË RRUGËT PËR NDIHMË. Cikloni Pam është përplasur në arqipelagun e Paqësorit të jugut, Vanuatu, duke lënë pas një shkatërrim total dhe duke vrarë të paktën 6 persona, raportojnë agjencitë e ndihmës së shpejtë. Sipas burimeve, të cituara nga mediat ndërkombëtare, shtëpitë në kryeqytetin Port Vila janë shkatërruar dhe banorët kanë marrë rrugët në kërkim të ndihmës. 

Agjencitë e OKB-së deklarojnë se, pavarësisht bilancit fillestar, disa dhjetëra banorë mund të kenë mbetur të vrarë nga katastrofa, e konsideruar ndër më të rëndat në historinë e Paqësorit.  Cikloni Pam ka sjellë në arqipelag erëra që arrijnë deri në 270 kilometra në orë dhe shira shumë të dendura e të rrëmbyeshme.  Chloe Morrison, një oficere komunikimi pranë shoqatës Ëorld Vision, që ndodhet në Port Vila, deklaroi se rrugët e kryeqytetit janë mbushur me pjesë çatish, pemë të çrrënjosura nga forca e erës dhe shtylla elektrike të rrëzuara.  Oficerja shtoi se ka të dhëna se fshatra të tërë në zonat e largëta të arqipelagut janë shkatërruar tërësisht.  “Ka ende rrezik. Shumë njerëz janë ende duke u ruajtur. Dëmet në Port Vila janë të përmasave të mëdha, por ka edhe shumë ishuj të tjerë të goditur. Nuk e imagjinoj dot në ç’situatë mund të ndodhen banorët e tyre”, deklaroi oficerja. Raportime të ngjashme bënë edhe oficerë të tjerë, të cilët saktësuan se kominikimet në arqipelag janë shkatërruar, ndërsa i cilësuan 30 minutat e përplasjes së ciklonit si momente terrori.  Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop deklaroi se qeveria po përgatitet të dërgojë një skuadër reagimi ndaj krizave në ishull.  I ndodhur mes Australisë dhe ishujve Hauai, Vanuatu ka një popullësi prej 267 mijë banorësh të përhapur në 65 ishuj, rreth 47 mijë prej të cilëve jetojnë në kryeqytetin Port Vila