Çmimet globale të naftës kanë pësuar rënie shumë të madhe, duke arritur nivelet që kanë pasur para luftës në Ukrainë. Kjo sipas analistëve ka ndodhur edhe për shkak të shqetësimeve për rritjen e dobët të ekonomisë së Kinës, që ka ardhur si rrjedhojë e izolimeve të vazhdueshme nga përhapja e COVID dhe rënies së aktivitetit ekonomik në sektorin e pasurive të paluajtshme. Ҫmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar Brent ka rënë sot në më poshtë se 92 dollarë.

Ulje rekord e çmimit të naftës në bursën ndërkombëtare. Të dhënat e fundit tregojnë se nafta ka pësuar uljen më të madhe që prej fillimit të luftës, duke arritur shifrat e para luftës. Një fuçi naftë këtë të martë u ble me 91.9 dollarë, një ulje me 3.36 për qind, në raport me një ditë më parë.

Ende nuk dihet nëse kjo ulje e madhe e çmimit të karburanteve në bursë do të reflekohet edhe në vendin tonë në mbledhjen e radhës të Bordit të Transparencës. Vendimet e datës 11 Gusht nga ky bord e çuan çmimin e naftës në 221 lekë/litri, ndërsa të benzinës 202 lekë/litri. Gazi shitet me 80 lekë/litri, Ministria e Financave ka vënë në fukje, se çmimet e karburanteve bazohen në ato të tregjeve të huaja, pavarësisht se nuk reflektohen në kohë reale.

Kujtojmë se Banka qendrore e Kinës uli papritur normat e interesit për facilitetet e saj kryesore të huadhënies për herë të dytë brenda këtij viti, pas shifrave zyrtare zhgënjyese të rritjes ekonomike. Prodhimi i fabrikave në sektorin industrial të këtij vendi u rrit me 3.8% në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rritje kjo që ishte nën parashikimet e analistëve prej 4.6%, sipas një sondazhi të Reuters. Shitjet me pakicë u rritën me 2.7% krahasuar me një vit më parë, një tjetër shifër që ishte dukshëm nën pritshmëritë e analistëve, ndërkohë që rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas izolimeve të pandemisë në fillim të këtij viti shfaqi shenjat e para të zbehjes.

Ekonomia e Kinës pati pothuajse një rënie në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të izolimit të qendrës tregtare të Shangait dhe rënies së ndjeshme në aktivitetin e tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe të niveleve vazhdimisht në rënie të shpenzimeve të konsumatorëve.

Çmimi global i naftës ka pësuar rënie të ndjeshme nga niveli rekord prej 140 dollarë që arriti në muajin mars, kur shqetësimet për furnizimet nga Rusia ishin në kulmin e tyre. Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten në nivele historikisht të larta, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, pasi ato janë pothuajse 50% më shumë sesa nivelet ku ndodheshin në fund të vitit 2019. Kjo rritje e madhe e çmimit të naftës ka nxitur një rritje rekord inflacioni dhe rritje të ccmimeve në të gjithë Evropën por edhe në vendet e tjera të zhvilluara.

Artikulli paraprakÇMIMET E ENERGJISË NË BURSË SHËNOJNË REKORD! 1 MEGAVAT KUSHTON MESATARISHT 554 EURO, PRITET TË ARRIJË DERI NË 747 EURO
Artikulli tjetërSTOLTENBERG TAKON SOT NË BRUKSEL KURTIN E VUÇIÇ