Kryeministri italian Giuseppe Conte pranoi dorëheqjen nga qeveria e dy ministrave Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti, vendime që u bën të njohura nga udhëheqësi i Italia Viva, Matteo Renzi.

Sipas kryeministrit, partia e ish-kryeministrit “ka marrë përgjegjësinë serioze të hapjes së një krize qeveritare” e cila po i shkakton “dëm të konsiderueshëm vendit në mes të një pandemie”. Conte më pas informoi mbi situatën edhe Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella.

“Unë u përpoqa deri në të fundit. U përpoqa deri në minutën e fundit për të shmangur këtë skenar, dhe ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve të bëra në çdo vend”, tha Conte.

Po ashtu ai deklaroi se dy ditë më parë kishte përsëritur faktin se kishte përgatitur një listë të përparësive për të bërë një krahasim sapo të miratohej paketa e Rimëkëmbjes, për masat anti-covid, apo dhe zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe cështje që lidheshin me buxhetin.

Ndërkohë që në ditët në vijim do të shihet nëse Conte do të arrijë të ketë përsëri maxhorancën, apo në këto kushte Italia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Siç raportojnë edhe mediat italiane, mes Renzit dhe Contes përplasjet kishin nisur disa javë më parë sa i takon menaxhimit të fondeve të BE lidhur me situatën e pandemisë së COVID-19. Ngelet për t’u parë në ditët në vijim nëse do të krijohet qeveria e Conte 3.