Shifra të larta të personave të infektuar me COVID-19 janë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë për qarkun Shkodër. Nëntë raste të reja janë konfirmuar në bashkinë Shkodër ndërsa një rast tjetër është shënuar në bashkinë Malësi e Madhe. Aktualisht janë 357 të infektuar aktivë në të gjithë qarkun, ku pjesa më e madhe janë të izoluar në banesa dhe 13 prej tyre janë të hospitalizuar në Tiranë.

Të gjithë të infektuarit të cilët shfaqin shenja të përkeqësimit të gjendjes menjëherë u ofrohet shërbimi I specializuar I mjekëve në spitalin rajonal të Shkodrës dhe pas vlerësimit të gjendjes së tyre merret vendimi nëse e kanë të nevojshëm transportin drejt spitaleve COVID në Tiranë.

Nga ana tjetër, përhapja e virusit ka dhënë pasojat e veta edhe në procesin mësimor. Koronavirusi është bërë shkaktari që 15 mësues në rajonin e veriut që të mos e nisin punën pasi janë vetë të prekur ose kanë familjarë të infektuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Drejtori Rajonal i Arsimit në Lezhë, Bardhok Pulaj i cili thotë se janë marrë masa për zëvendësimin e tyre. Ndërkohë procesi mësimor ka vijuar normalisht.

Pulaj shton se në të gjitha shkollat ka personel mjekësor dhe apelon për zbatim të protokolleve për mbrojtjen nga koronavirusit. Në një pjesë të konsiderueshme të shkollave të veriut mësimi po zhvillohet me turne, për të rujtur distancimin fizik mes nxënësve.