Qarku i Shkodrës vijon të mbetet një vatër e rrezikshme sa i takon përhapjes së COVID-19. Në deklaratën e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë janë konfirmuar 42 raste të reja në qarkun Shkodër. 33 raste janë shënuar në bashkinë Shkodër, pesë raste në bashkinë Malësi e Madhe, tre raste në bashkinë Vau Dejës dhe një rast në Pukë. Shkodra renditet ndër qarqet me numër të lartë të personave të infektuar, kjo si shkak i mosrepsketimit të masave antiCOVID në ambjentet e hapura dhe mbyllura.

Si shkak i përkeqësimit të situatës, inspektorët e Inspektoriatit Shtetwror të Shwndetwsisw vijojnë çdo ditë monitorimin e subjekteve tregtare në Shkodër në zbatim të protokollit anticovid të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë ndërsa efektivë të Policisë Vendore dhe stafi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor kryejnë kontrolle në banesat e personave pozitivë me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel vazhdimisht qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm të zbatojnë masat anti- Covid në mënyrë që të minimzohet përhapja e koronavirus në vendin tonë, si dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes, por të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim që kanë.