Franca po zgjeron masat e saj të kontrollit COVID-19 edhe në një rajon verior të vendit, në luftë kundër pandemisë, tha kryeministri francez Jean Castex.

Masat e reja përfshijnë një bllokim gjatë fundjavës në Pas-de-Calais në Kanalin Anglez, të ngjashëm me atë që ekziston tashmë në qytetet e Nicës dhe Dunkirkut.

Rajoni dendësisht i populluar përreth Parisit dhe qyteti-port i Marsejës janë kursyer nga kufizime të tilla deri më tani.

“Aktualisht nuk ka rritje eksponenciale të infektimeve, por varianti i COVID-19, i zbuluar për herë të parë në BM, tani përbën rreth 60 % të rasteve në Francë”, theksoi Castex.

Javën e kaluar, kryeministri njoftoi një nivel më të lartë paralajmërimi COVID-19 për 20 rrethe, përfshirë Parisin.

Këtë javë, kësaj liste iu shtuan edhe tre rrethe.

Castex u bëri thirrje autoriteteve lokale në këto zona të vendosin masa për të parandaluar tubime më të mëdha.

Në vendin me rreth 67 milionë banorë, më shumë se 87 500 persona kanë vdekur nga COVID-19.