Në fundjavë Bavaria mbylli kufirin me Çekinë dhe Tirolin në Austri. Ministri i Brendshëm Seehofer synon që me kufizimin e qarkullimit ndërkufitar të pengohet përhapja e mutantëve të COVID-19.

Policia federale u vendos në mesnatë në pikun e të ftohtit me ngrica në minus 20 gradë në pikëkalimin kufitar Schirnding me Çekinë si dhe në vendkalime të tjera kufitare mes Bavarisë dhe Çekisë.

Në këtë rajon nuk janë vendosur binarët e kufirit, por policia kryen kontrolle në çdo automjet që kalon kufirin, pasagjerët pyeten për qëllimin e udhëtimit dhe në rast se është e nevojshme edhe mund të mos u lejohet hyrja në vend.

Arsyeja e kontrolleve ka të bëjë me masat për të ndaluar qarkullimin nga zonat e ashtuquajtura „të mutacioneve”, prej nga shtohet rreziku i përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit. Deri në fund nuk ishte e qartë, se çfarë lëshimesh bëhen në këtë rast për kalimet e kufirit, të vendosura nga ministri i Brendshëm Horst Seehofer.

Policia federale vë në dukje, se do të lejohen të hyjnë nga Çekia vetëm ata persona që punojnë në Gjermani në sektorë kritikë si p.sh. në infrastrukturën mjekësore. Po ashtu edhe shoferët e kamionëve dhe pjesëmarrësit në ceremoni mortore do të lejohen të kalojnë.

Çdo udhëtar duhet t’i nënshtrohet testit ndaj koronavirusit. Eshtë e pasigurtë, nëse personat që punojnë dhe udhëtojnë mes dy vendeve do të duhet t’u nënshtrohen çdo ditë testeteve, apo vetëm një herë në javë.

Edhe qarkullimi i trenave dhe autobusëve mes Bavarisë dhe Çekisë do të ndërpritet.

Çekia është duke i izoluar zonat e rrezikuara nga përhapja e virusit që ka pësuar mutacion. Në anën tjetër të kufrit me Bavarinë në qarqet çeke Sokolov dhe Trutnov në fundjavë u vendos izolimi i plotë.

Në Tirol dyshohet të jetë përhapur varianti afrikano-jugor i virusit. Qeveria e landit në Tirol është kundër një izolimi të rreptë. Ndërsa qeveria qendrore në Vjenë ka filluar me rrethimin e këtij landi.