Stafi mjekësor në spitalin rajonal të Shkodrës po përballet me një mbingarkesë të vizitave dhe shtrimit të pacientëve ditët e fundit. Vala e fundit e COVID-19 ka shtuar edhe një herë fluksin e vizitave që kryhen në repartin e urgjencës, ku çdo ditë konfirmohen të paktën 20 raste të reja. Drejtori I spitalit, Ardian Dajti bën të ditur se aktualisht të shtruar në spital janë pesë pacientë të infektuar me koronavirus.

Mungesa e një reparti COVID në ambjentet e spitalit ka krijuar problematika. Drejtori Dajti thotë se repartet janë përshtatur në mënyrë që pacientëve të shtruar t’I ofrohen të gjitha shërbimet shëndetësore pa qenë nevoja të transportohen drejt Tiranës.

Drejtori I spitalit rajonal Shkodër Ardian Dajti këshillon qytetarët të tregohen më të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve duke zbatuar rregullat e distancimit social, por edhe duke marrë dozat e vaksinës antiCOVID e cila është e vetmja mënyrë për të mbrojtur shëndetin e tyre