Teksa hidhet dora e fundit, me vijizimin e pistës, Aeroporti i Kukësit ‘Zayed, Flatrat e Veriut’ pret nesër udhëtarët e parë. Nga Londra ulet në Kukës avioni i parë, i mbushur kryesisht me emigrantë shqiptarë nga kjo zonë në Britaninë e Madhe.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, thotë se ashtu siç ishte premtuar çunat nga Londra do t’i presë Kryeministri.

“Mua më rezulton që janë gati, nga të gjitha të dhënat që kam nga koncesionari. Çunat nga Londra më datë 18 ulen këtu dhe i pret Kryeministri siç i kishte premtuar”, thotë ajo.

Balluku shprehet se e gjithë zona do të ketë përfitim të madh ekonomik.

“Përfitimet financiare janë shumë të mëdha, punësimi, ulja e kargove, numri i turistëve do të jetë shumë më i lartë. Padyshim këtu do të jemi në një element të ri zhvillues i veriut të vendit, siç është turizmi.

Punësimi në përgjithësi do të bëhet me banorë rreth Kukës, përveç atyre që kanë nevojë për përgatitje dhe specializim konkret”, vijon ministrja.

Teksa nënvizon se destinacionet e para do të jenë me disa qytete të Zvicrës, Gjermanisë por edhe Italisë, Belinda Balluku bën me dije se me uljen e avionit të parë nesër e gjithë vëmendje e dikasterit që ajo drejton do zhvendoset për në Vlorë, për aeroportin atje pasi në datë 20 prill firmoset kontrata me kompaninë koncensionare.