Fitorja 2-0 në shtëpi ndaj Vllaznisë ka rikthyer skuadrën e Laçit te suksesi, pas disfatës së pak ditëve më parë në transfertë ndaj Bylisit.

Një fitore që ndonëse jo për shkak të lojës, ka kënaqur trajnerin e kurbinasve, Armando Cungu, sa i takon vlerës së tre pikëve të siguruara. “Në këtë ndeshje, e rëndësishme ishte arritja fitores dhe objektivit për 3 pikë. Kisha bindjen se ndaj Vllaznisë nuk do të ishte aspak e lehtë, ashtu si edhe ndaj Flamurtarit. E kam theksuar se si Vllaznia apo edhe Flamurtari me këdo që të luajnë janë në gjendje të të hapin problem”, u shpreh kreu i pankinës së Laçit, Armando Cungu. “Nuk kishim alternativë tjetër veç fitores, çka nuk e lejoi skuadrën të shprehej lirshëm në fushë. Ekipi doli në lojën e tij vetëm pas minutës së 55’, duke krijuar raste dhe shënuar golin e dytë. Pas shënimit të golit të parë në pjesën e parë skuadra sikur u tërhoq në vetvete dhe patëm probleme. Nga ana tjetër, jemi katër shkodranë që fatkeqësisht u përballëm në këtë situatë kundër skuadrës së qytetit tonë. Më vjen keq për Vllazninë, por duhet të sillemi si profesionistë”, përfundoi trajneri Cungu.