Armando Cungu me shumë mundësi mund të jetë trajneri i ri i Vllaznisë. Shkodrani në urimin e tij për festat e fundvitit për miqtë, bashkëpunëtorët dhe të afërmit mes të tjerave ka bërë të ditur edhe dorëheqjen e tij si trajner i Laçit, skuadër të cilën e drejtoi për një kohë të gjatë dhe më të cilën fitoi edhe trofe.

Tashmë dorëheqja e tij në Laç dhe situata e Vllaznisë pa një trajner kanë krijuar idenë se shkodrani do të ulet në stolin kuqeblu për pjesën e mbetur të sezonit. Në fakt Vllaznia ndodhet në kushte të vështira aktualisht duke qenë se ende nuk dihet se çfarë do të ndodh me merkaton, financat e saj apo edhe menaxhimin në vazhdimësi të skuadrës. Burime pranë Cungut bëjnë me dije se edhe ai ashtu si edhe shumë figura të tjera të sportit, trajner dhe ish-futbollistë është takuar me kryetaren e bashkisë Voltana Ademi teksa kanë biseduar lirshëm për ekipin e Vllaznisë. Në këtë mënyrë duke ditur edhe potencialet e Cungut apo edhe afirmimin e tij në futbollin shqiptar si një trajner që di të gjejë suksesin me skuadrat që drejton mendohet se tashmë është shumë pranë pranimit të ofertës. Megjithatë ende asgjë nuk është zyrtare në ardhjen apo jo të Cungut si tekniku i ri i kuqebluve por shkodrani thuhet se është shumë pranë arritjes së marrëveshjes. Natyrisht që neës bie dakord ta drejtojë Vllazninë për pjesën e mbetur të paktën në pankinë skuadra kuqeblu do të ishte e sigurtë për vazhdimësinë. Natyrisht që në kushtet në të cilat ndodhet ekipi shkodran patjetër që shumë gjëra duhet të ndryshojnë në mënyrë që 2016-ta të gjejë një Vllazni tjetër që nuk përpëlitet në fundin e tabelës duke diskutuar pas çdo 90-minutëshi mbijetesën.