
Victor Da Silva mund të rikthehet te Vllaznia. Kjo merkato e janarit duket se do t’i bashkojë edhe njëherë tjetër të dy palët për pjesën e mbetur në vazhdim të sezonit. Në fakt, braziliani është larguar nga klubi i Nasaf në Uzbekistan dhe tashmë, ai e ka mbyllur aventurën e tij atje, teksa momentalisht Da Silva është një futbollist i lirë në treg. Në fakt, nga sa mësohet nga burime të “Star Plus”, të dy palët kanë patur negociata prej disa ditësh dhe është diskutuar që Da Silva të jetë pjesë e Vllaznisë për 6-muajt e ardhshëm. Vetë lojtari nga burime pranë tij e ka pranuar se mund të rikthehet sërish në Shkodër dhe mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim se si do të shkojnë negociatat e mbetura.
Gjasat janë që Da Silva të rikthehet edhe njëherë tjetër te Vllaznia, gjithsesi çdo gjë mbetet për t’u përcaktuar në ditët në vazhdim, pasi në kohë merkatoje gjithçka mund të ndodhë. Afrimin e Da Silvës e la të hapur edhe presidenti Xhaferi në një komunikim për mediat, ndonëse pa përmendur emra. Tek Vllaznia, braziliani u shndërrua në një futbollist të rëndësishëm gjatë dy viteve që ishte pjesë e saj. Megjithatë, duhet pranuar se ka patur edhe shumë probleme dëmtimesh, ç’ka bënë që ai për shumë javë të mos ishte i gatshëm për të luajtur.
Në këtë moment, Vllaznia ndoshta do kishte nevojë për shërbimet e tij, për vetë faktin se në pjesën e parë të sezonit kroati Amir Kahrimanoviç nuk ka bindur aq sa pritje. Tashmë, mbetet për t’u parë në vazhdim nëse sulmuesi do të rikthehet në Shkodër tek Vllaznia. Kontaktet janë prej ditësh, por çdo gjë tashmë do varet nga vetë lojtari dhe klubi, teksa të dy palët po shqyrtojnë termat e kontratës.