
Ka dështuar rikthimi i Victor Da Silves te Vllaznia. Marrëveshja ishte shumë pranë finalizimit, teksa braziliani zhvilloi edhe testet mjekësore dhe qëndroi dy ditë në Shkodër, por një ofertë më e mirë financiare nga ana e Shkëndijës së Tetovës, e ka bërë atë që të ndryshojë mendje. Da Silva ka udhëtuar drejt Tetovës dhe pritet që ai të firmosë tashmë për Shkëndijën. Në fakt, Vllaznia ishte shumë pranë firmës me brazilianin, por në fund gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet dhe ajo nuk erdhi kurrë. Da Silva ka qenë prej dy ditësh në Shkodër dhe ka biseduar gjatë me drejtuesit e Vllaznisë.
Në fakt, u duk se do të kishte edhe një komunikim zyrtar për firmosjen e kontratës dhe prezantimin e afrimit të rradhës të kuqebluve, por kjo gjë nuk ndodhi. Poashtu, burime zyrtare pranë klubit të futbollit Vllaznia thonë se Da Silva ka patur edhe disa probleme dëmtimi. Në fakt, fantazisti brazilian i shoqëruar nga pjesëtarë të stafit mjekësor të Vllaznisë dhe drejtues të klubit, u janë drejtuar njërës prej klinikave të qytetit, ku kanë kryer edhe testet mjekësore. Nga ajo çfarë është konstatuar, braziliani ka shfaqur disa probleme dhe si rrjedhojë, më pas ka patur edhe një konsultë me një nga ortopedët e Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Për Da Silvën thuhet se ka patur disa probleme me ligamentin dhe meniskun dhe pikërisht, nisur nga këto probleme të shfaqura, sipas asaj që shprehen drejtuesit e Vllaznisë, kanë hezituar të firmosin kontratën. Tashmë, braziliani është larguar nga Shkodra dhe pritet të firmosë tek Shkëndija e Tetovës. Në këtë mënyrë, çështja e rikthimit të Victor Da Silves te Vllaznia mbyllet këtu dhe drejtuesit kuqeblu tashmë duhet të shohin alternativa të tjera për mesfushën dhe sulmin. Në planet e tyre janë disa emra, por duhet pritur se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme, ku shpresohet që rasti “Da Silva” të mos përsëritet më.






