
Rrënojat e kishës së Shirgjit në njësinë Dajç çdo vit e më shumë rrezikojnë për shkak të erozionit dhe gërryerjve të tokës nga lumi Buna. Famullitari i Dajçit dom Gjovalin Simoni në ditën ndërkombëtare të monumenteve thotë se institucionet shtetërore duhet që të kenë një vëmendje shumë më të madhe për këtë aset kulturor e historik dhe fetar që tregon identitetin tonë kombëtar.
Në këtë 18 prill, ditën ndërkombëtare të monumenteve, drejtoresha e drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore në Shkodër Besara Podgorica thotë se DRTK organizoi një aktivitet tek kisha e Shirgjit me tematikën e këtij viti “Trashëgimia dhe Klima” si një kërkesë për të na inkurajuar që të bashkohemi për të reflektuar mbi ndikimin e ndryshimeve të klimës në pasuritë kulturore.
Aurora Piroviç drejtuese e grupit Natyralistët, shprehet se kisha e Shirgjit është një pikë ndalese gjatë tureve turistike me fëmijët për t’i njohur ata me objekte të tilla me vlerë kulturore e historike ndërsa në këtë aktivitet u bënë pjesë edhe student të universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe gjithë bashkë mbollën edhe disa fidanë.
Gjatë këtij aktiviteti tek kisha e Shirgjit u diskutua mbi sfidat e të ardhmes në një diskutim të hapur me studentë dhe aktivistë të mjedisit që lidhen me ndryshimet klimatike nën optikën e specialistëve të Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore.