
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar të enjten raportin për trafikimin e qenieve njerëzore, ku Shqipëria futet në vendet që nuk kanë përmbushur standardet minimale për parandalimin e trafikimit.
“Qeveria shqiptare nuk ka përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut të qenieve njerëzore, por po bën përpjekje të rëndësishme për të arritur këtë synim”, lexohet në raport.
Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standartet minimale.
Qeveria vazhdon t’i ndëshkojë viktimat e trafikimit për shkeje ligjore, pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që viktimat janë detyruar t’i nënshtrohen trafikimit.
Qeveria ka raportuar më pak raste ndjekjesh penale e dënimesh dhe autoritetet vazhdojnë t’i ndjekin penalisht disa trafikantë nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.
Qeveria ka vonuar financimin e strehëve të sigurta të drejtuara nga OJQ-të dhe hetimet e ndjekjet penale nuk i ka bërë vazhdimisht duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jetë viktima.
Policia, thuhet në raport, jo gjithmonë i identifikon viktimat e trafikut mes individëve të përfshirë në prostitucion.
Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar.
Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik, thuhet në raport. Trafikantët përdorin premtime të rreme, siç janë martesa, apo vendet e punës, për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik. Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për rekrutimin e viktimave.
Raporti i rekomandon Shqipërisë që t’i përjashtojë viktimat nga ndëshkimi për shkelje ligjore, kur shkeljet janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion; të vazhdojë të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e implikuar në trafikim;
të trajnojë hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit për identifikimin e viktimave; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore, duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve; të zgjerojë trajnimin e prokurorëve të përfshirë në çështje që merren me viktimat – dëshmitarë;
të shtojë fondet për Organizatat Jo-qeveritare që strehojnë viktimat, dhe të rrisë numrin e punonjësve në këto strehë; të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të shtojë përpjekjet për të kapur që herët shenja për fëmijë të trafikuar; të miratojë një plan mbarëkombëtar, për të cilin të ofrojë burimet e nevojshme financiare.


