“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë nuk janë aspak dashuri e pakushtëzuar”, kështu e ka nisur analizën shërbimi publik zviceran SRF. Sipas tyre, ka shenja që tregojnë se Moska nuk po mbështet më aq fuqishëm Beogradin, por se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë brenda natës.

“Së fundmi mësohet se raketat e prodhimit serb përfundojnë në arsenalin e ushtrisë ukrainase”, kujton shërbimi publik zviceran. Beogradi zyrtar u përgjigj se municionet u eksportuan në Turqi dhe se Serbia nuk ka të bëjë me rishitjen e mëtejshme përmes Sllovakisë në Ukrainë. E megjithatë çështja krijoi pakënaqësi në Moskë.

“Ata nuk e shitën materialin direkt në Ukrainë, por nuk u kujdesën që të mos përfundonte atje”, thotë Armina Galijas, eksperte për Ballkanin nga Universiteti i Gracit. Sipas saj, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë janë më pragmatike.

“Ata janë disi të kujdesshëm dhe asnjëherë të hapur. Nuk është dashuri pa kushte”, tha ajo.

Sipas analizës, dashuria serbe për Rusinë është vënë në skenë vitet e fundit si “vëllazëri sllave dhe ortodokse”, imazh ky që u shty nga mediat dhe politikanët në Beograd, së bashku me qëndrimet antiperëndimore. Media zvicerane evidenton indikacione se Serbia mund të largohet nga Rusia.

“Presidenti Vuçiç u ankua për ndikimin rus në vend dhe konfirmoi se Serbia është në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Galijas. Ajo megjithatë shtoi se edhe pse ndarja mes dy vendeve mund të ndodhë, ajo nuk mund të pritet të jetë e menjëhershme. Jo vetëm sepse Serbia është e varur nga gazi rus, por edhe sepse Rusia gëzon simpati të madhe në mesin e popullatës serbe. Një rol të madh në këtë ka luajtur edhe Vuçiç.

“Ishte Vuçiç ai që krijoi qëndrimet pro-Putin dhe pro-ruse në vend. Tani duhet të jetë po ai që do të gjejë mënyrën e duhur për të dalë nga një situatë e tillë”, përfundon analiza.

Artikulli paraprakPËRFUNDON MBLEDHJA E KRYESISË SË PS, JA EMRAT E KANDIDATËVE PËR SECILIN QARK
Artikulli tjetërPUTIN ZBULON DETAJE NGA TAKIMI ME PRESIDENTIN KINEZ