De Biasi: Me Izraelin s’humbëm prej policisë, ‘fajin’ e ka Euro 2016

Trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi i cilëson si budallallëqe deklaratat e disa lojtarëve që humbja nga Izraeli erdhi për shkak të terrorit policor. “Jooo, këto janë budallallëqe. Policia ishte për ne siç ishte edhe për ata, nuk ndryshon asgjë. Te mos fshihemi pas gishtit. Ndeshjen e humbëm sepse pësuam atë gol të parë që mund ta evitonim. Mund evitonim aksionin nga lindi goli, nga një top i gjatë 50 metra, që nuk mund të kalojë kurrsesi ashtu. Unë mendoj se si të gjitha qeniet njerëzore, pasi kanë arritur një sukses të madh, të rikthehesh në një garë të re, në një tjetër realitet, në një tjetër sfidë është shumë më e vështirë nga sa duket. Ky është kundërshtari ynë më i madh. Kjo ka qenë gjëja e parë që unë i kanë thënë lojtarëve në momentin e parë që jemi takuar pas Europianit. Ne të gjithë jemi të bindur se po bëjmë të njëjtën gjë, po stërvitemi në të njëjtën mënyrë, por mungon ajo shkëndija që duhet për të arritur objektivin” tha De Biasi. Ditët e fundit mediat italiane flasin për një debat të De Biasit që lidhej me mosarritjen e qëllimit për të drejtuar axurrët, por për italianin kjo çështje ka mbaruar. Fakti i lakimit të emrit të tij për shumë pankina që tronditen kryesisht në Itali, kanë bërë të mendohet se motivimi i tij nën drejtimin e pankinës kuq e zi ka rënë, por ndryshe mendon De Biasi. “Mendoj qe jam shumë herë më i motivuar tani se sa ne ditën e pare qe kam ardhur, sepse kjo skuadër është një krijesë që u formua nga hiçi dhe është bërë dikushi. Është bërë diçka e rëndësishme, aq sa askush nuk e priste që Shqipëria të shkonte në ato nivele”, tha ai. De Biasi i rikthehet edhe një herë çështjes së tifozëve, duke i mbështetur në kauzën e tyre, por njëkohësisht duke shpresuar në mbështetjen e tyre. “Unë e mbështes tifozerinë me problemet që ata kane sepse unë mendoj qe tifozët tanë janë shumë të veçante. Por duhet të kuptojnë qe ndeshja me Izraelin kishte një specifike të veçantë sepse ishte një shënjestër e akteve terroriste. Shpresoj që në ndeshje të tjera të mos ketë aq shumë kontrolle persekutuese që janë kundër frymë së sportit”, u shpreh De Biasi.