Kombëtarja kuqezi përmbylli mbrëmjen e premtes stërvitjen ambientuese në stadiumin e Elbasanit, në përgatitjet për sfidën e katërt kualifikuese të Grupit G, në kuadrin e Botërorit “Rusi 2018”.

Sonte, në orën 20:45, në “Elbasan Arena”, Shqipëria do të përballet me Izraelin, në kushte të barabarta, sa u takon pikëve të të dyja skuadrave. 6 pikë kanë kuqezinjtë në tri ndeshjet e para, por aq edhe izraelitët, respektivisht. Është një përplasje e ethshme për vendin e tretë, i cili konsiderohet objektiv i mirë, në kushtet kur në grup kemi edhe Spanjën me Italinë, favorite absolute në letër për të shkuar në Rusi. Trajneri De Biazi pasi ka parë gjendjen fizike të të gjithë lojtarëve, ka vendosur për formacionin. Porta i besohet Etrit Berishës. Në mbrojtje në qendër pritet Mavraj dhe Gjimshiti, ndërsa nga krahët Hysaj dhe Agolli. Para prapavijës, në rolin e një “amortizatori” të sulmeve të kundërshtarit, nuk do të luajë Kukeli, si zakonisht, por Andi Lila. Qendra e mesfushës do të ketë: Xhakën dhe Memushaj. I pari spikat për dyluftimet e forta dhe lëvizshmërinë e madhe në fushë, si rezultat i përgatitjes fizike, ndërsa vlonjati i Pescara mund të vijojë qarkullimin e topit, për të plotësuar fazën tranzitore të ndërtimit të lojës nga mbrojtja në sulm. Krahët e këtij reparti kanë lojtarë në formë me Roshin dhe Llullakun. Në sulm pritet shkodrani Bekim Balaj, një formacion ky që do të futet në fushën e lojës për të marrë tre pikët ndaj Izraelit.

Artikulli paraprakBASKET, VLLAZNIA FITORE NË FRYMËN E FUNDIT NDAJ TEUTËS
Artikulli tjetërDËSHIRA E FUNDIT E NJË PIKTORI NË “KULT”