
Deputeti i Partisë Socialiste, Admir Kadeli, ka reaguar lidhur me debatet e krijuara pas publikimit të raportit të ekspertëve për reformën administrativo-territoriale, duke theksuar se nuk ekziston asnjë propozim për bashkimin e Bashkisë së Mirditës me një bashki tjetër.
Sipas Kadelit, dokumenti që po qarkullon është një analizë teknike e hartuar mbi tregues ekonomikë, demografikë, financiarë, socialë dhe funksionalë, dhe nuk përmban asnjë propozim për ndryshimin e kufijve administrativë të Mirditës.Deputeti socialist akuzon kundërshtarët politikë për keqinterpretim të raportit dhe përhapje të dezinformatave, duke theksuar se debati nuk duhet të fokusohet te pretendimet për shkrirjen e bashkisë, por te mënyrat për të zhvilluar më tej Mirditën.Kadeli pranon se Mirdita përballet me sfida demografike dhe ekonomike, por nënvizon se zgjidhja nuk është krijimi i panikut, por shtimi i investimeve, zhvillimi ekonomik, projektet konkrete dhe përmirësimi i administrimit vendor.
Në reagimin e tij, ai vlerëson historinë dhe identitetin e Mirditës, duke theksuar se ato nuk cenohen nga asnjë raport apo analizë teknike. Në fund, Kadeli u bën thirrje mirditorëve të qëndrojnë të qetë dhe të fokusohen te zhvillimi, shërbimet cilësore dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë, duke e cilësuar Mirditën si “krenarinë e Shqipërisë”.






