
Reshjet e dëborës dhe ngricat kanë përfshirë pjesën më të madhe të Qarkut Shkodër, kryesisht zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut. Prefekti i Qarkut Shkodër bën me dije se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha strukturat operacionale në terren.
Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në akset rrugore me fluks të lartë lëvizjeje dhe në segmentet ku ka prezencë dëbore dhe ngricash, është shtuar patrullimi nga shërbimet e Policisë Rrugore. Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Në territorin e Bashkisë Shkodër, vijojnë reshjet e shiut, ndërsa në zonat malore ka reshje dëbore. Në aksin Bogë–Theth, mjetet e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po kryejnë hedhjen e kripës, megjithatë në disa segmente rruga paraqitet me ngrica. Në Qafë Thore, trashësia e dëborës ka arritur rreth 15 cm, ndërsa qarkullimi vijon pa probleme.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, në qytetin e Koplikut raportohen reshje dëbore me trashësi rreth 3 cm. Ndërkohë, në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e dëborës vazhdojnë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm, ndërsa të gjitha rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.
Edhe në Bashkinë Pukë ka reshje dëbore me intensitet të ulët, me trashësi rreth 5 cm, pa problematika të raportuara deri në këto momente.
Nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor Shkodër bëhet me dije se aktualisht nuk paraqiten probleme në qarkullimin në akset rrugore që ajo mbulon.
Prefekti i Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse






