Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot në kryeqytet konventën për Tiranën me sloganin “Dekada e Shpresës dhe Ndryshimit”. Monika Kryemadhi u kërkoi shqiptarëve të marrin në dorë fatin e tyre.

“Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnje, autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin.

Viti 2020 është fillimi i një dekade ku Shqiperia, familja, Kombi shqiptar janë dhe do të jenë të parët! Asnjë dorë e zezë nuk mund të shtrihet mbi to pasi të gjithë shqiptarët së bashku do ta refuzojnë me forcën e rezistencës dhe shpirtit të tyre.

Ne jemi krenarë për sot dhe për gjithë jetën se do të jemi ne njerëzit e dekadës së re të një Shqipërie krejt tjetër nga kjo e sotmja që nuk është hall dhe problem vetëm i shqiptarëve por edhe i Ballkanit. Të një Shqipërie e njerëzve të lirë, e iniciativës së lirë, gjithashtu edhe një shembull përparimi dhe zhvillimi.

Kjo dekadë do të flakë tej Rilindjen e shëmtisë politike dhe morale, Rilindjen e shpërbërësve të familjes, Rilindjen e tradhtarëve të Kombit dhe do të ngrejë lart atdhetarët e vërtetë, të rinjtë e talentuar, burrat dhe gratë që mbajnë mbi shpatulla ekonominë e vendit dhe të familjeve të tyre.

Do të ngrejë lart talentin dhe dijen e shqiptarëve me të cilët ne krenohemi dhe që sot kemi aq shumë nevojë. Tashmë ka ardhur më në fund dita që të ringremë shpresën dhe besimin dhe të rivendosim në piedestal dinjitetin njerëzor” tha ajo.

Kryemadhi tha se sot LSI-ja do të rifillojë aksionin politik, por nuk dha detaje se di do të veprojnë kundër shumicës. “Sot rifillojmë aksionin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi është mbyllur një vit i gjatë dhe i zymtë për shqiptarët, që kulmoi me fatkeqësinë natyrore të 26 Nëntorit, ndërkohë që varfëria ekonomike u thellua më tej, dhe BE tha një tjetër “JO” për hapjen e negociatave.

Ne sot kemi takimin e parë politik organizativ për 2020. Ne të gjithë sa jemi, këtu jemi të bindur e kemi besim se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se çfarë ju është premtuar, e shumë herë më tepër se çfarë ju është ofruar në realitet. Ne po lëmë pas një vit të vështirë, i cili do të lërë plagë në shpirtin e shqiptarëve. Viti 2019 do të shënohet si

viti që 120.000 shqiptarët e braktisën vendin e tyre për tu garantuar shkollim,shëndetësi,siguri dhe ekonomi për fëmijët e tyre, qe nuk i gjetën dot këtu në Shqipëri, e më keq akoma, nuk patën besimin se mund t’i gjenin ndonjëherë.

Po t’i hedhim një sy kalendarit të tranzicionit shqiptar do të shikojmë që Shqipëria është përballur me dy momente tragjike: në 1991 dhe në 2019. Këto dy periudha i bashkon e përbashkëta e zbrasjes së Shqipërisë nga të rinjtë dhe të rejat e saj, nga filizat e rinj më të mirë të cilët do të ishin kontribuesit kryesorë të ndertimit të një vendi për të cilin do të ishin krenarë.

Një vend ndërtuar mbi demokracinë, ku sundon e ligji i barabartë për të gjithë, ku secili ka mundësi të barabarta për arsimim, për punësim e biznes, ku shteti i garanton çdo qytetari sigurinë e shendetit, ushqimit dhe të jetës.

Këto dy periudha ngjajnë tashmë si dy pika uji: Në 1991 e gjithë Shqipëria, rinia shkollore e universitare, ajo punëtore e intelektuale, u larguan drejt BE në emigracion per tu rikthyer me besimin “Ta bejme Shqipërinë si gjithë Europa”, pasi përmbysi një sistem të kalbur që ju kishte hequr të drejtën e lirisë,të besimit,të fjalës,të të jetuarit,të shkolluarit,të punësimit,

një sistem i mori jetën mijëra shqiptarëve sepse besonin në Zot,pse besonin në liri,pse besonin në vlerat humane, pse besonin tek liria dhe demokracia. Në 1991 shqiptarët u larguan me besimin per tu kthyer më pas, në një Shqipëri të lirë, demokratike e Evropiane.

Sot, pas gati 30 vitesh, kemi përsëri një Shqipëri që i largohen filizat, por tashmë me trishtimin se përsëri vendi ka një parlament monist, se është kthyer çensura dhe hequr e drejta e fjalës, se është kthyer shtetëzimi dhe grabitja e pronave private në përfitim të Partisë Shtet dhe bandave të saj kriminale.

Në eksodin e sotëm, ai që ishte dikur “Blloku i udhëheqjes” është zëvendësuar me Grupimin e Rilindjes, që janë pjesë apo përfaqësues të bandave kriminale që blejnë pushtetin me paratë e pista, që më pas pushteti tu shërbejë vetëm atyre.

2019 si viti i fatkeqsisë natyrore që goditi Shqipërinë është edhe një nga vitet më të errta keq-qeverisese që kemi kaluar: Shpopullimi solli dhimbjen në familjen shqiptare, dëmtimin e saj, por edhe plakjen të menjëhershme të popullsisë” tha ajo.

Artikulli paraprakVDEKJA E ISH-DEPUTETIT TË PD, BASHA: HUMBËM AKTIVISTIN E PASHOQ, KONTRIBUOI PËR RRETH 3 DEKADA NË PARTI
Artikulli tjetërDOMEN, FSHATI ME RRJET TË AMORTIZUAR ELEKTRIK