Është shoqëruar mbrëmjen e së enjtes drejt Prokurorisë për Krimet e Rënda gazetari Artan Hoxha.
Menjëherë pas përfundimit të emisionit “Opinion”, gazetari Hoxha është shoqëruar nga prokurorë të Krimeve të Rënda me pretekstin për nxjerje të sekretit shtetëror. Gjatë emisionit, gazetari deklaroi se piloti italian Guido Guidi kishte pranuar para prokurorisë se kishte ardhur për të provuar nëse funksiononte pista në Ishëm dhe pas kthimit në Itali, do të transportonte 200 kilogramë drogë me avion. Gazetari Artan Hoxha deklaroi në studion e emisionit “Opinion”, në Televizionin Klan se, sipas burimeve të tij, piloti Guido Andrea Guidi, ka pranuar se kishte ardhur të provonte pistën dhe më pas do të kthehej për të transportuar 200 kilogramë drogë.
“Nuk e vë në dyshim që ky avion ka ardhur për të tentuar që të transportojë një ngarkesë lënde narkotike. Është një formë transporti e njohur. Grupet e fuqizuara kriminale i kanë potencialet për ta bërë këtë gjë. Gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se; “Kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë”, deklaroi Hoxha.