Përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD i është drejtuar sot me një letër Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela përmes të cilës shkruan se prej një viti po bllokon verifikimin e 2 kryebashkiakëve me të kaluar kriminale.

Një vit më parë, PD i kërkoi prokurorisë të verifikojë të dhënat për të kaluarën kriminale të kryebashkiakëve të Vaut të Dejës dhe të Mallakastrës, përkatesisht Mark Babani dhe Qerim Ismailaj. Pas një viti, nga prokuroria nuk ka akoma asnjë përgjigje. Afati 3 mujor për përgjigjen është zgjatur me kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, i cili konsiderohet nga PD si përgjegjës për zvarritjen dhe pengimin e Ligjit të Dekriminalizimit.

“Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka refuzuar në vijimësi të bëjë transparencë dhe të përcjellë informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës së miratimit të rezultateve të verifikimit.

Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Ky është një zhgënjim i madh për qytetarët dhe secilin prej nesh, që priste korrektësi në përmbushjen e detyrës kushtetuese nga Prokurori i Përgjithshëm, i zgjedhur pas hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi. ”- thuhet në letrën që Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i ka dërguar sot kryeprokurorit për këtë çështje.

Në letër renditen tre kërkesa që kanë të bëjnë me dhënien e informacionit për ecurinë e verifikimit, arsyet e vonesës 1 vjeçare dhe përfundimin e verifikimit sipas frymës së ligjit të dekriminalizimit. Ky ligj ka për qëllim të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.

foto galeri

foto galeri

Artikulli paraprakDRITAT, 63% E FATURËS KOSTO PËR BLERJEN E ENERGJISË, SHQIPËRIA ME NIVELIN MË TË LARTË
Artikulli tjetërM.MADHE, MESHË PËR TË LUMIN LEKË SIRDANI