Karabinierët e Bagnolo Mellas në provincën e Breshias kanë arrestuar në flagrancë, duke shitur kokainë, një shqiptar 65-vjeçar, i papunë dhe me precedentë.

Shqiptari ishte i njohur për kronikën dhe karabinierët e stacionit lokal për krimet e shfrytëzimit të prostitucionit, shitje kokaine, dëmtim personi dhe mbajtje armësh në vende publike, të gjitha të kryera në fillim të viteve 2000 që i sollën një dënim prej dhjetë vjetësh, vendosur përfundimisht më 2007. Pasi lau borxhin me drejtësinë, ai u kthye në Bagnolo Mella dhe fillimisht u përpoq të jetonte në mënyrë të ndershme.

Por duke qenë se ishte i vendosur mirë brenda botës së shpërndarjes së drogës, nuk iu desh shumë që të fitonte sërish besimin e furnizuesve të narkotikëve dhe rinisi të shiste sasi të mëdha kokaine. Të shtunën në mbrëmje, karabinierët i shkuan në shtëpi, ku gjetën 1 kilogramë kokainë të pastër, 16500 euro dhe një pistoletë. Kokaina ishte e pandarë në doza dhe në rrugë do të shitej për mbi 100 mijë euro. Shqiptari u dërgua direkt në qeli, ku iu komunikua edhe masa e sigurisë arrest me burg.