
Në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian të vitit 2025 për moshën deri U-17 në Shqipëri, ditën e sotme, një grup specialistësh të UEFA-s kryen një vizitë dhe vlerësim pararak për të gjithë infrastrukturën, terrenet sportive stërvitore si dhe rrjetit të hoteleve në Bashkinë Shkodër ku pritet të qëndrojnë ekipet.
Gjatë kësaj vizite delegacioni i UEFA-s u shoqërua nga Presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, z. Alban Xhaferi i cili i prezantoi me stadiumin “Loro Boriçi” dhe terrenet stërvitore përreth.
Në përfundim të saj delegacioni i UEFA-s përgjithësisht mbeti i kënaqur nga kushtet që ofron stadiumi “Loro Boriçi” ndonëse la disa detyra për ndërhyrje në perimetrin e jashtëm dhe në brendësi të tij, kryesisht për mirëmbajtjen e fushës. Nga ana tjetër, pjestarët e këtij delegacioni u shprehën të pakënaqur për mungesën e fushave me bar natyral për stërvitje.
Për sa më sipër u lanë detyra të qarta për të realizuar investime imediate në terrene sportive dhe të kryhen të gjitha ndërhyrjet e nevojshme dhe në terrenet aktuale në mënyrë që qyteti i Shkodrës t’i bëjë një pritje dinjitoze aktivitetit evropian më të rëndësishëm të vitit 2025 – Kampionatit Europian U-17, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë ku përfshihet edhe qyteti i Shkodrës.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid037SDL3u77Rcv9jqrDYTNzh49pMQ98mWvaZSmpT7YQvdcXcCqkFQxpy3AxGhpjvZjJl&id=100063740615928


