Jo në të gjitha rastet lulishtet shërbejnë për funksionin për të cilin janë ndërtuar.

Mungesava e zonave për kullotje ka nisur që të detyrojë çobanët që bagëtitë t’i lëshojnë nepër lulishte. Një gjë e tillë ka ndodhur gjatë pasdites të së martës në lulishten përballë repartit zjarrëfikës në qytetin e Shkodrës. Natyrisht që është e pazakontë që një lulishte në qytet e ndërtuar për qytetarët të kthehet në një vend kullotjeje për bagëtitë. Me dhjetra dele kanë pushtuar të gjithë lulishten duke kullotur aty pa u shqetësuar nga askush. Një pamje e tillë patjetër që ka tërhequr edhe vëmendjen e kalimtarëve të rastit të cilët nuk kanë nguruar edhe të fotografojnë apo ironizojnë me atë imazh me të cilin përballeshin. Thuajse e gjithë lulishta ishte zbrazur dhe fijet e barit nuk ekzistonin sepse delet nuk kishin lënë asgjë. Përveç pamjes qesharake dëmi i shkaktuar patjetër që nuk është i vogël nga delet që kullosnin aty për disa orë. Tashmë mund të cilësohet me çfarëdo emri por vetëm lulishte jo sepse delet që ushqehen aty e kanë shndërruar plotësisht. Të paktën nga pamja që konstatohet në lulishte, kjo situatë përsëritet disa herë me çobanët të cilët lëshojnë delet në lulishtet e qytetit ndërsa askush nuk mendon për t’i ndaluar edhe pse ngjarja zhvillohet në mes të ditës. Lulishta përballë zjarrëfikësve nuk është e vetmja sepse edhe zona të tjera të gjelbëruara kryesisht në periferi të qytetit kanë të njëjtin fat. Në këtë mënyrë nga një vend-pushimesh e qetësie për qytetarët e Shkodrës, vendet me gjelbërim po kthehen në han në shërbim të bagëtive që po zbresin edhe në mes të qytetit.