Kristian Panuçi duhet të bëjë mirë llogaritë për ndeshjet kundër Spanjës dhe Italisë, pasi do të jetë në emergjencë të plotë sa u përket pezullimeve dhe dëmtimeve të lojtarëve.

Situata është shqetësuese sidomos për ndeshjen me Spanjën, ku Mavrajt, Kukelit e Roshit të pezulluar, i bashkohen Abrashi dhe Balaj që janë mungesa të sigurta për dëmtime. Ndërkaq, Agolli me Gjimshitin janë në fazë riaftësimi pas dëmtimeve që kanë pësuar dhe kësaj liste të gjatë mund t’i shtohet nga dita e sotme edhe mesfushori Andi Lila.

Futbollisti i cili luajti titullar në ndeshjen me Spanjën, është dëmtuar në ndeshjen e kampionatit grek mes PAOK-ut dhe Pas Janinës, shkruan “bw”. Futbollisti shqiptar ka kërkuar ndërrim në minutën e 43-të të ndeshjes ku po luante titullar, duke lënë në mes takimin që u mbyll me fitoren 1-0 të PAOK, ku mungonte Ergys Kaçe.

Nuk është mësuar ende nëse ky problem do ta detyrojë të mungojë për një kohë të gjatë dhe të humbasë ndeshjet e Kombëtares apo nëse ai do të riaftësohet në kohë për fillimin e grumbullimit të përfaqësueses më 2 tetor.

Artikulli paraprakNOKA: KEMI NJË POLICI TË INKRIMINUAR, FELAJ: MOS FOL PA FAKTE
Artikulli tjetërKËTË JAVË MBYLLET RIVLERËSIMI PROFESIONAL I PROKURORËVE KANDIDATË PËR KLP E KED