
Kjo është gjendja e katër këmbëve në anën veriore të urës mbi lumin Mat, në superstradën Lezhë–Milot. Erozioni i krijuar nga rrjedha e fortë e ujit ka sjellë dëmtimin e këtyre strukturave, të cilat janë gërryer dhe rrezikojnë të lëvizin.
Kjo është ura e tretë që ka pësuar dëmtime, pas asaj te “Zogu” dhe urës në aksin e vjetër Lezhë–Milot, e cila vijon të jetë e bllokuar prej muajit korrik të vitit që lamë pas. Aktivistja Elsa Sula, e cila e ka ndjekur në vazhdimësi këtë çështje, thotë se shfrytëzimi pa kriter i lumit Mat për inerte ka sjellë këtë situatë, e cila rrezikon izolimin e plotë të veriut të vendit.
Edhe eksperti i mjedisit Jak Gjini thotë se ndërhyrjet pa kriter në shtratin e lumit kanë prishur balancat natyrore, duke sjellë këto pasoja. Ai kërkon ndërhyrje të shpejtë për frenimin e përkeqësimit të kësaj situate.
Me një gjatësi rreth 300 metra, ura mbi lumin Mat përgjatë superstradës Lezhë–Milot u ndërtua në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur ndërhyrje për frenimin e erozionit në këmbët e saj dhe forcimin e tyre.






