
Policia e Lezhës njoftoi sot se ka vënë nën hetim tre punonjës të një subjekti të cilët po dëmtonin shtratin e lumit Mat. Administratori i subjektit, sipas Policisë, është shpallur në kërkim.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, ushtruan kontroll përgjatë lumit Mat, ku konstatuan mjete të rënda të një subjekti që kryente aktivitet pa dokumentacionin përkatës dhe duke dëmtuar shtratin e lumit”, njoftoi Policia.
Sipas Policisë, “në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast: u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të këtij subjekti, shtetasit M. L., 36 vjeç, V. L., 47 vjeç (vëllezër) banues në Pukë dhe F. L., 50 vjeç, banues në Tale, Lezhë; u shpall në kërkim shtetasi S. P., 39 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, administrator i subjektit. Punohet për kapjen e tij”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete të rënda (1 ekskavator dhe 3 kamionë) që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.






