
Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet ekipit të Vllaznisë dhe Elbasanit, e luajtur të dielën në stadiumin “Loro Boriçi”, disa tifozë të Elbasanit shkaktuan incidente të rënda. Specialistët e Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit S.M 23-vjeç, K.K 40-vjeç, L.P 37-vjeç, E.S 24-vjeç, E.Q 23-vjeç dhe D.D 32-vjeç, të gjithë banues në Elbasan. Ata u kapën duke shkatërruar disa ndenjëse në shkallët e stadiumit dhe i hodhën ato më pas në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e tifozëve të tjerë dhe të futbollistëve. Policia ndërhyri dhe i shoqëroi të gjithë në Komisariat për verifikime dhe procedim të mëtejshëm. Ndërkohë, strukturat e rendit vijojnë punën për identifikimin e tifozëve të tjerë që kanë kryer veprime të paligjshme brenda stadiumit, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime ligjore. Në komunikatën e saj, Policia apelon për rrespektimin e rregullave gjatë ngjarjeve sportive dhe sjellje qytetare në ambientet e stadiumeve, duke theksuar se çdo shkelje e ligjit do të ndiqet me rigorozitet.






