Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, me prani edhe të Kryeministrit, Edi Rama, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, dhe Ministrit të Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi rritjen e mundësive për aksesin në financë për sektorin e bujqësisë.

Gjatë këtij takimi me pjesëmarrjen e drejtuesve të bankave e përfaqësuesve të organizatave të biznesit të angazhuar në sektorin bujqësor, u prezantua skema e re e Garancisë Sovrane, një nismë që synon të lehtësojë aksesin në financa për fermerët dhe bizneset bujqësore. Përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 milionë euro do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural. Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se, ky është një proces që ka nisur disa kohë më parë dhe sot kurorëzohet në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë, për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve, të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë. Ministrja Anila Denaj në fjalën e saj theksoi rëndësinë e sektorit të bujqësisë, i cili angazhon mbi 33% të forcës punëtore rurale dhe ka një ndikim të ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Ajo vuri në dukje se, pavarësisht arritjeve domethënëse në vitet e fundit, sfidat kryesore mbeten fragmentizimi i pronësisë dhe mungesa e aksesit në financa.

“Bujqësia shqiptare ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Eksportet tona janë rritur me mbi 10% çdo vit, duke arritur në 471 mijë ton dhe një vlerë prej mbi 53 milionë euro në fund të vitit 2024. Vetëm në vitin e fundit kemi një rritje në sasi me gati 21% krahasuar me vitin 2023, kryesisht në vendet e BE-së, duke synuar jo vetëm tregje elitare, por përtej këtyre tregjeve edhe numrin e konsiderueshëm rreth 30 tregje ku produktet tona shqiptare tregtohen”, u shpreh ministrja Denaj.

Ajo theksoi se ky instrument financiar do të mbulojë deri në 70% të principalit të kredive të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare, duke ulur ndjeshëm rrezikun për huadhënësit dhe duke lehtësuar marrjen e kredive për fermerët dhe bizneset bujqësore. Sipas saj, kjo skemë nuk do të kufizohet vetëm në mbështetjen e prodhimit bujqësor tradicional, por do të inkurajojë edhe investimet në mekanizim, teknologji inovative, agroturizëm të certifikuar dhe akuakulturë, duke diversifikuar kështu burimet e të ardhurave dhe duke krijuar vende të reja pune në zonat rurale. Ministrja nuk la pa përmendur edhe rëndësinë që kanë investimet në rritjen e kapaciteteve të ruajtjes dhe përpunimit të produkteve bujqësore, të cilat jo vetëm rrisin vlerën e produkteve shqiptare, por garantojnë edhe sigurinë ushqimore, një faktor kyç në rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Kjo tryezë diskutimi shënon fillimin e një faze të re bashkëpunimi ndërmjet qeverisë, sektorit bankar dhe sipërmarrësve bujqësorë, duke hapur rrugën për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe të integruar të bujqësisë shqiptare në vitet që vijnë.

Artikulli paraprakSANTORINI NËN KËRCËNIMIN E TËRMETEVE, GREQIA SHPALL GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME NË ISHULL
Artikulli tjetërLIGJI KUNDËR EMIGRACIONIT, MIJËRA QYTETARË AMERIKANË PROTESTOJNË NË SHBA