Deputeti Gjin Gjoni denoncon “masakrën” në ish-burgun e Spaçit: Qeveria po zhduk kujtesën kombëtare

T’i themi NDAL zhdukjes së kujtesës kombëtare! — me këtë thirrje të fortë, deputeti i sapozgjedhur Gjin Gjoni ka reaguar ashpër ndaj projektit të qeverisë për restaurimin e ish-burgut famëkeq të Spaçit në Mirditë, një vend simbolik i qëndresës dhe vuajtjes së mijëra të përndjekurve gjatë diktaturës komuniste.

Sipas Gjonit, projekti aktual nuk përbën një restaurim të mirëfilltë, por një “masakër ndaj historisë”. Ai thekson se ndërhyrjet në strukturën origjinale të burgut po fshijnë gjurmët autentike të vuajtjes, torturave dhe qëndresës politike, duke zbehur kështu dëshminë e së kaluarës së dhimbshme të Shqipërisë.

“Spaçi është një vend dëshmie. Aty duhet të flasë e vërteta, dhimbja, qëndresa dhe nderimi për ata që u sakrifikuan për lirinë tonë. Çdo ndërhyrje që i zbeh ose i fshin këto gjurmë është një sulm ndaj kujtesës sonë kolektive”, – deklaroi Gjoni.

Deputeti shprehu mbështetjen e tij të plotë për aktivistët, ish-të përndjekurit politikë dhe qytetarët që janë ngritur për të ndaluar atë që ai e quajti “masakër ndaj së vërtetës”.

“Mbështes çdo hap që do të ndërmerret për të ruajtur integritetin historik të këtij vendi të shenjtë të kujtesës. Spaçi është i të gjithë shqiptarëve — nuk është pronë e asnjë qeverie, por një trashëgimi kombëtare.”

Deklarata e Gjonit vjen në një kohë kur reagimet publike ndaj projektit në Spaç janë shtuar ndjeshëm, me shumë zëra që kërkojnë transparencë, përfshirje të komunitetit të ish-të përndjekurve dhe respekt të plotë për historinë.

Artikulli paraprakVOTA E DIASPORËS/ DHL: PROCESI U REALIZUA 92%, INTEGRITETI I PADISKUTUESHËM!
Artikulli tjetërKUALIFIKUESET E KUPËS SË BOTËS/KOMBËTARJA ZHVILLON STËRVITJEN E PARË