Deputeti Gjin Gjoni denoncon ndotjen alarmante në Lezhë dhe Shëngjin: Tre fabrika po helmojnë ajrin, institucionet heshtin!

Në kulmin e sezonit turistik, deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni, ka ngritur alarmin për një situatë të rëndë ndotjeje që po prek Lezhën, Shëngjinin dhe zonat përreth. Sipas tij, tre fabrika në këtë zonë po shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe turistëve.

“Erërat e rënda dhe tymrat mbytës nuk janë më thjesht shqetësim i përditshëm. Kemi të bëjmë me një emergjencë mjedisore dhe shëndetësore. Ndërsa mijëra pushues vijnë për të shijuar bregdetin dhe natyrën e Lezhës, ndotja po shkatërron gjithçka,” deklaron Gjoni.

Ai akuzon institucionet vendore dhe qendrore për heshtje të qëllimshme dhe bashkëpunim me bizneset që favorizohen nga pushteti.

“Nuk jemi kundër sipërmarrjes private, por nuk mund të pranojmë që interesat e disa klientëve politikë të shkatërrojnë imazhin dhe shëndetin e gjithë zonës. Mjaft më me kompromise nën dorë! Lezha dhe Shëngjini meritojnë ajër të pastër dhe një shtet që mbron qytetarët, jo ndotësit,” shton deputeti.

Gjoni kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga çdo institucion përgjegjës dhe paralajmëron se heshtja zyrtare nuk do të tolerohet më.

Artikulli paraprakDY TRILIONË EURO/ VON DER LEYEN PREZANTON BUXHETIN E BE-SË 2028-2034
Artikulli tjetërKOS: BISEDIMET E ANËTARËSIMIT NË BE ME SHQIPËRINË PO PËRPAROJNË MË SHPEJT SE KURRË