Sot pasdite, kryeministri Edi Rama me ministrat e tij ka mbërritur në Shkodër, për të vijuar shfaqjen e tij të radhës në qytetin tonë. Si gjithnjë, i njëjti avaz, pa ndryshuar asgjë nga stili i tij, batuta bajate dhe premtime hipokrite.

“Vendimi i madh” që na u dha, ishte krijimi i qendrës historike të Thethit dhe një paketë projektesh për një zhvillim të qëndrueshëm. Vetëm fjalë dhe asnjë investim. Ashtu siç e ka përcaktuar edhe në buxhetin e vitit të 2018, nuk parashikohet të plotësohen, pothuajse asnjë prej projekteve të paraqitura nga njësitë vendore të Qarkut Shkodër, projekte që janë të rëndësishme për zhvillimin e qendrueshëm të komunitetit dhe për zhvillimin e një jete normale në këtë zonë. Si mund t’i besohet deklaratave të tilla, kur projektet për zhvillimin e zonës së turizmit në Alpet shqiptare i keni në tryezën tuaj prej katër vitesh, projektet nuk ju kanë munguar asnjëherë nga njësitë vendore të Qarkut të Shkodrës, por as të zonave të tjera të Veriut, zona të cilave përveç mungesës pothuaj absolute të investimeve, i keni kthyer në zonat më të varfra, zona ku papunësia është ulur këmbëkryq. Niveli i papunësisë është më i larti në të gjithë vendin. Vetë ikja masive e banorëve të Veriut e dëshmon më qartë se asgjë, se çfarë politike bëni ju.

Shihini të dhënat Mjafton t’ju drejtoheni të dhënave INSTAT-it tuaj, për këto zona, për të parë se çfarë zhvillimi të qëndrueshëm sillni ju. Sa për projektet për Shkodrën dhe se çfarë keni bërë për këtë qytet, përgjigjen më të mirë jua dhanë sot me deklaratën e tyre anëtarët e Këshillit Bashkiak. Ajo çfarë po bëhet qesharake, ashtu si në dy fushatat elektorale, është se ende përmend si investime të Rilindjes Urbane, Muzeun Kombëtar të Fotografisë”Marubi”, Stadiumin “Loro Boriçi” dhe ndërhyrjen në Teatrin “Migjeni”, ku dy të parët kanë qenë kryesisht investime donatorësh të huaj dhe investime të filluara para qeverisë Rama. Z.Rama, nesër kur të shkoni në spitalin rajonal të Shkodrës, mos bëni një pasarelë në koridoret e spitalit, ashtu siç bëtë edhe në fushatë, por pyesni pacientët dhe qytetarët për kushtet dhe shërbimin mjeksor që i ofroni, të cilin e keni degraduar si mos më keq.

Apo dhe tek vizitat që mund të bëni nesër në nënstacionet elektrikë, angazhohuni më mirë në investime serioze, sepse prej katër vitesh në zona të tëra të Shkodrës, nuk është bërë asnjë ndërhyrje, e këtë e tregoi mjaft mirë situata e ditëve të fundit të nëntorit, kur pjesë të tëra të qytetit mbetën pa drita, ndërsa në fshatra të tillë si Bushati dhe Barbullushi, energjia elektrike nuk erdhi me ditë të tëra si pasojë e rrjetit të amortizuar. Prandaj, ndërsa tani, në këto çaste, mblidheni me qeverinë tuaj, në një ndërtesë të pahipotekuar, sot, më 8 dhjetor, ditën e lindjes së pluralizmit në Shqipëri, kursejani shkodranëve dhe shqiptarëve gjithë këtë hipokrizi. Mos na e ndotni Ditën e Rinisë, ditën e përkujtimit të ndryshimeve demokratike, ditë për të cilën ky qytet ka dhënë më shumë se asnjë.

Artikulli paraprakPËRFSHIHET NGA FLAKËT FURGONI, POLICIA HETON SHKAQET
Artikulli tjetërEKZEKUTOHET ALEKSANDËR NDOKA, GJENDET I VRARË NË MAKINËN E TIJ