Polica e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar deputeten e lëvizjes Vetëvendosje,

Aida Dërguti në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga organet e drejtësisë. Dërguti është arrestuar për shkak të mbajtjes në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve. Ajo është arrestuar në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor të Vushtrrisë. “Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 09.02.2017 në orët e mëngjesit ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor Vushtrri.

Njësitet relevante policore të stacionit policor Vushtrri, bazuar në urdhëresë, kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj. A. D., të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë të njëjtën e kanë shoqëruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim. Policia thekson se deputetja Dërguti ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe e njëjta është shoqëruar në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë. Deputetja Aida Dërguti vjen nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje.