
Pas mungesës së një marrëveshjeje në takimin e zhvilluar të martën në një takim të ndërmjetësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, minatorët e minierës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë vijuar protestën e tyre edhe këtë të mërkurë.Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut, ata janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit në hyrje të kompanisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.Kjo shënon ditën e 14-të të bojkotit të punës nga ana e minatorëve, të cilët deklarojnë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe njohjen e sindikatës.Ndërkohë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë bën me dije se në takimin e zhvilluar mes paleve kërkesa e saj kryesore ishte rikthimi në punë i 17 minatorëve të larguar padrejtësisht dhe nisja e negociatave brenda 10 deri në 15 ditësh për plotësimin e kërkesave të tjera të punëtorëve, por diçka e tillë u refuzua nga kompania.Nga ana tjetër, kompania “TETE Albania” reagoi përmes një deklarate për mediat, ku theksoi se KSSH ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos respektuar procedurat ligjore për fillimin e bisedimeve dhe duke organizuar greva në periudha të ndaluara nga ligji. Në deklaratë thuhet gjithashtu se kompania mirëpret dialogun me institucionet dhe kërkon respektimin e detyrimeve ligjore nga të gjitha palët.
“TETE Albania mirëpret rikthimin në punë të të gjithë punëmarrësve me kontrata të vlefshme dhe mbetet e gatshme të dëgjojë çdo shqetësim të tyre. Ne falënderojmë institucionet publike për angazhimin dhe theksin që vendosën tek respektimi i ligjit”, thuhet në deklaratë.
Rreth 70 punonjes të nëntokes në minieren e bakrit në Spaç të Mirditës kane bojkotuar punën dhe ndodhen në ditën e 14-të të protestës së tyre. Ata kërkojnë kushte më të mira pune, paga më të larta, njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre dhe nënshkrimin e kontratës kolektive me kompaninë.






