Kuvendi i Kosovës nuk arriti përsëri të konstituohet, duke regjistruar dështimin e 40-të në përpjekjet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Edhe këtë herë mungoi kuorumi i nevojshëm për krijimin e Komisionit Zgjedhor që do të zgjidhte kryeparlamentarin. Nga 100 deputetë të pranishëm, vetëm 51 votuan pro, ndërsa pjesa tjetër nuk morën pjesë fare në votim, pa asnjë abstenim apo votë kundër.
Partitë kryesore, përfshirë PDK, LDK, Listën Serbe, AAK dhe NISMA, nuk propozuan emra për anëtarë të komisionit, duke çuar në dështimin e seancës, e cila do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

Ky bllokim i vazhdueshëm ka shkaktuar pakënaqësi të madhe publike dhe politike, pasi vendi po qëndron tashmë pesë muaj pa institucione funksionale. Përfaqësuesit e partive i hedhin fajin njëri-tjetrit për bllokadën. Para seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për mosnjohje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Kuvendit.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kritikoi LVV-në duke thënë se mungesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Kuvend tregon gatishmërinë e tij për të shkelur ligjet për të ruajtur pushtetin. Dimal Basha nga LVV i akuzoi partitë e tjera për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se votimi i fshehtë po tenton të përdoret pasi votimi i hapur nuk ka dhënë rezultat. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka lejuar përdorimin e çdo forme votimi. Nga ana tjetër, shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, tha se Kurti sillet paradite si deputet dhe pasdite si kryeministër dhe se vendimet që merr janë në kundërshtim me ligjin, pasi ai është ende në detyrë.

Artikulli paraprakKOS: KA KONSENSUS PËR ZGJERIM, POR DRITARJA S’MUND TË JETË E HAPUR GJITHMONË
Artikulli tjetërTRUMP PRET NETANYAHUN NË SHTËPINË E BARDHË, ZBULOHET DATA E TAKIMIT MES DY LIDERËVE