Këshilli bashkiak i Shkodrës ka dështuar të zhvillojë mbledhjen e radhës. Në mbledhjen e thirrur të 15 shkurtit e parashikuar në orën 17:00 nuk erdhën më shumë se 24 anëtarë të këshillit bashkiak të Shkodrës. Ky numër është i pamjaftueshëm për ta zhvilluar mbledhjen sepse kourumi kërkon minimalisht 26 anëtarë të pranishëm nga 51 në total që janë, pra mbi 50%. Kourumi nuk u arrit të formohej sepse mungonin të paktën edhe dy anëtarë të këshillit duke bërë që kjo mbledhje të dështojë duke mos u zhvilluar. Në fakt kjo mungesë totale përgjegjësie e këshilltarëve nuk është hera e parë që ndodh.

Aq më tepër në këtë periudhë në të cilën ndodhemi, në prag të fushatës elektorale fakti që socialistët kryesisht në këshillin bashkiak vijojnë të jenë të përçarë nuk është aspak një shenjë e mirë dhe mbi të gjitha tregon mungesën totale të përgjegjësisë qytetare për besimin që i kanë dhënë votuesit si dhe një mungesë përgjegjësie edhe politike ndaj Partisë Socialiste e cila i ka përzgjedhur për të qenë aty si përfaqësues. Mesa duket PS në Shkodër ka ende shumë punë për të bërë me anëtarët e këshillit. Një pjesë veprojnë në këtë mënyrë duke ditur që janë në fund të mandatit dhe se me shumë gjasa disa prej tyre nuk do jenë më në listë për këshillin bashkiak të ardhshëm.

Zgjedhjet vendore janë më 17 maj dhe pas kësaj date do të kemi një këshill të ri bashkiak tashmë jo vetëm me përfaqësues të majtë por edhe nga radhët e Partisë Demokratike. Fakti që mbarojnë mandatin, i ka bërë anëtarët e këshillit bashkiak neglizhentë ndaj mbledhjeve që zhvillohen. Disa herë Partia Socialiste e Shkodrës i ka tërhequr veshin këshilltarëve por këta të fundit po tregojnë se kur nuk kanë më interes janë plotësisht të pabindur edhe ndaj urdhërave politik.

Edhe kjo mbledhje që dështoi kishte disa pika të rëndësishme si dhënia me qira e banesave sociale, ndryshime në taksat dhe tarifat vendore, plani për shuarjen e zjarreve, dhënia me qira për studimin e erës, dhënia me qira e kinema “Millenium”, miratimi i hartës së plazheve në Velipojë, çështje që më përpara ka çuar edhe në vrasje, emërtimi i disa rrugëve dhe shesheve si dhe kalimi i një ambulance në qendrën shëndetësore të Dajçit. Pas këtij dështimi të turpshëm të mbledhjes së këshillit bashkiak, mbledhja e radhës u shty më 20 shkurt në orën 17:00.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPROTESTUESIT NISEN DREJT SELISË SË KUVENDIT, MARSHIM NË KËMBË NGA SELIA E PD
Artikulli tjetërGJENDEN MBI 27 KG LËNDË NARKOTIKE E HEDHUR PRANË KUFIRIT MES MALIT TË ZI DHE SHQIPËRISË, SI U SINJALIZUA POLICIA