
Disa detaje të reja janë mësuar lidhur me plagosjen e 28 vjeçarit E.R mbrëmjen e djeshme në Shkodër. 28 vjeçari i cili mori një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në dëshminë e tij për policinë vendore të Shkodrës ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush është autori i kësaj ngjarje por ka dëshmuar vetëm se “një person me kapuç të zi në kokë i ka ardhur nga mbrapa dhe e ka plagosur në këmbë dhe është larguar me shpejtësi. Nuk e kam idenë se kush është autori që më plagosi. Nuk kam patur konflikte apo probleme me ndonjë person ndaj edhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, deklaroi nga spitali i plagosuri.
Pavarësisht kësaj dëshmie policia e Shkodrës ka dyshime se E.R është në dijeni të autorit të plagosjes por nuk ka dhënë asnjë emër për faktin se ka dyshime se autori është një i njohur i 28 vjeçarit. I plagosuri ndodhej në trotuar bashkë me 3-4 persona të tjerë dhe dyshohet se njëri prej tyre në debat e sipër, në një konflikt të çastit e ka plagosur shtetasin E.R.
Policia ka dyshime se autori mund të jetë njëri prej personave me të cilët ndodhej por nuk është përcaktuar ende se cili prej tyre. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të subjekteve aty afër por kamerat e subjekteve nuk e kanë kapur këtë ngjarje. E vetmja kamer që pritet të kçyret është një kamer prej atyre që ka vendosur bashkia Shkodër por është në një largësi të konsiderueshme dhe është e vështirë të identifikohet autori përmes saj duke patur parasysh edhe errësirën. Gjithsesi përmes kësaj kamere policia mund të shohë dinamikën e plagosjes së 28 vjeçarit E.R