
Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e një nate më parë në qytetin e Koplikut në Malësinë e Madhe. Kjo ngjarje mendohet se ka ndodhur për një borxh mes dy shokësh të afërm me njëri-tjetrin. Rreth orës 19:50 shtetasi Genti Dulaj, 32 vjeç u plagos me armë zjarri pistoletë. Menjëherë pas një plumbi që mori në këmbë 32 vjeçari u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi iu nënshtrua edhe një operacioni. Ndërkohë në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policia duke bërë të mundur nisjen e hetimeve paraprake. Efektivët arritën që të identifikojnë autorin e dyshuar të plagosjes shtetasin Mirush Hasa, rreth 35 vjeç.
Ndërkohë policia vijon që të jetë ende në kërkim të autorit të dyshuar i cili nuk është kapur ende. Efektivët kanë ngritur disa grupe kontrolli në gjithë zonën e Koplikut dhe janë në kërkim të tij. Sipas policisë vendore të Shkodrës plagosja mendohet se ka ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta gjë e cila çoi më pas në plagosjen e 32 vjeçarit Genti Dulaj. Sipas burimeve pranë policisë së Shkodrës mendohet se autori i dyshuar Mirush Hasa dhe i plagosuri Genti Dulaj kanë qenë shokë mes tyre por një debat për një borxh ende të pashlyer ka sjellë konfliktin.
Dy shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje kanë debatuar për borxhin si dhe kanë patur pretendime se kanë mbajtur njëri-tjetrin me para në momente të ndryshme. Pas debatit, dy shtetasit janë konfliktuar edhe fizikisht mes tyre derisa shtetasi Mirush Hasa dyshohet se ka nxjerrë edhe pistoletën dhe ka qëlluar ndaj 32 vjeçarit. Genti Dulaj ka deklaruar se ka shkuar me idenë për t’u sqaruar me shokun e tij dhe ka rrëfyer se si ka ndodhur plagosja ndaj tij. Në vendin e ngjarjes dyshohet se kanë qenë edhe dy persona të tjerë të cilët mund të kenë përkrahur autorin e dyshuar për t’u larguar edhe pse kanë qenë të njohur edhe të të plagosurit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.