Mediat australiane kanë zbardhur detaje të reja nga tragjedia shqiptare, ku babai vrau vajzën dhe dhëndrin, pasi e bija vendosi që të fillonte një jetë të re larg tij me bashkëshortin pas martesës një vit më parë. Policia është në pritje të intervistimit të babait Osman Shaptafaj, që ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Çifti Veton dhe Lindita Musai sapo ishin kthyer në shtëpi nga festimi i përvjetorit të tyre të parë të martesës.

55-vjeçari i inatosur me vendimin e së bijës për t’u larguar nga shtëpia shkoi në banesën e tyre të re në Yarraville dhe në momentin që e bija hapi derën pas disa trokitjeve, Osman Shaptafaj e qëlloi për vdekje me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas qëlloi dhëndrin që ndërroi jetë në spital. Osman Shaptafaj, i cili jetonte 5 km larg çiftit, u gjet pas një blloku banesash me plagë arme në kokë, pasi tentoi vetëvrasjen.

Shaptafaj ndodhet në spitalin e Melburnit në një gjendje kritike. Një dëshmitar i tha një televizioni në Australi se e kishte parë që qëllonte veten në kokë, të binte në tokë, pastaj të ngrihej përsëri.

Veton Musai, sipas medieve australiane ishte djali i udhëheqësit të komunitetit shqiptar në këtë vend, Alil Musai, i cili arriti atje nga Maqedonia në vitet 1980. Ndërkohë që çifti ishte njohur në fund të vitit 2017 dhe u martuan një vit më vonë. Miqtë dhe të afërmit e çiftit janë të shokuar nga ngjarja e rëndë.

“Jemi të trishtuar”, Një tjetër shkroi “Veton dhe gruaja juaj e mrekullueshme Lindita pushoni së bashku në kopshtin e Zotit për paqe të përjetshme”. “Një humbje kaq tragjike. Ngushëllime të sinqerta” ishin disa nga mesazhet e miqve në rrjetet sociale. Shaptafaj shpesh herë publikonte mesazhe të kriptuara në faqen e tij në Facebook, mes të cilave një foto, të një tufe delesh mes të cilave një dele ishte e zezë.

I ati sipas medieve, bazuar te informacionet nga të afërmit, nuk ka qenë i ftuar në as fejesën e çiftit apo dasmë. Ndërkohë që në një status shkruante “Më duani ose më urreni, të dyja janë në favorin tim. Nëse më doni mua do të jem gjithmonë në zemrën tuaj. Nëse më urreni, do të jem gjithmonë në mendje”.

Një anëtar i familjes tha që vajza kishte kaluar një periudhë të vështirë nga i ati për shkak të formimit të tij. Vajza punonte në një kompani që merrej me shitje pronash në Melbourne ndërsa burri në një bankë. Kjo është ngjarje dytë e rëndë që ndodh në Australi në pak kohë në familjet shqiptare, pasi në gusht po të këtij viti, babai vrau vajzën.