Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 19 vjeçarit Erjon Xhenje mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Dy janë autorët e kësaj vrasje. Në momentin kur kanë qëlluar ata kanë qenë të maskuar me kapuç dhe të veshur me rroba të zeza. Autorët kanë shtënë me një pistoletë duke e vrarë me 5 plumba 19 vjeçarin. Kjo vrasje deri më tani dyshohet se vjen si hakmarrje e ngjarjeve të fundit të ndodhura në Shkodër. Ndërkohë ka qenë babai i viktimës ai i cili pas vrasjes ka identifikuar djalin e tij të vrarë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policia duke nisur hetimet për vrasjen e ndodhur. Vrasja ndodhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Vllaznia-Kastrioti kur 19 vjeçari ishte futur në një lokal në fund të bulevardit “Bujar Bishanaku” për të pirë një kafe. Në atë moment autorët janë afruar dhe e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur në vend shtetasin Erjon Xhenje i cili nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje për t’i shpëtuar këtij atentati. Autorët menjëherë pas vrasjes janë larguar përmes një rrugice dytësore me një motor dhe afro 500 metër larg vendit ku kryen krimin kanë djegur motorrin dhe kanë hedhur në rrugë pistoletën me të cilën mendohet se është kryer vrasja. Motorri është djegur nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës me një fikse zjarri duke shpresuar që të gjejnë ndonjë provë të autorëve. Forcat e policisë kanë nisur hetimet për të arritur në identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve. Deri më tani autorët vijojnë që të jenë të paidentifikuar ndërsa policia ka ngritur grupe të shumta kontrolli. Nga ana tjetër janë sekuestruar kamerat e sigurisë përgjatë bulvardit “Bujar Bishanaku” si në rrugicën në të cilën janë larguar autorët dhe vende të tjera ku mendohet se mund të kenë lëvizur. Deri më tani identifikimi i tyre përmes kamerave të sigurisë është i vështirë për shkak të maskimit të autorëve. Ndërkohë mësohet se në momentin e vrasje në lokal ka patur edhe persona të tjerë si dhe në rrugë ka patur një lëvizje të konsiderueshme por autorët kanë patur objektiv vetëm 19 vjeçarin. Dëshmitarët okular dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni janë marrë në pyetje por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete apo prova që mund të çojnë në zbulimin e autorëve të vrasjes.