
Deri më 20 Korrik 2025 është afati i fundit për bashkitë me probleme financiare dhe për ato me detyrime të prapambetura, të kenë përfunduar hartimin e planit të shlyerjes së borxheve.
Ministri i Financave Petrit Malaj më herët u kërkoi bashkive që planin e rehabilitimit financiar, pasi ta kenë miratuar në këshillat bashkiak ta paraqesin pranë ministrisë. Plani duhet të sigurojë ecurinë e shlyerjeve të borxheve brenda 12 muajve.
Në total për 2024 niveli i detyrimeve të prapambetura për 61 bashkitë në rang vendi ka arritur në vlerën e rreth 3,2 mld lekëve apo rreth 33 mln euro sipas të dhënave të publikuara në raportin “Qeverisja vendore në Shqipëri- Raport mbi situatën 2024” të Institutit për Bashkitë të Shqipërisë.
Krahasuar me 2023 detyrimet e prapambetura të krijuara nga pushtetit vendor kanë zbritur në vlerën e 1,5 miliardë lekëve apo 32,8% më pak.
Por pavarësisht tendencës rënëse të totalit të vlerës së detyrimeve të prapambetura, ecuria me shlyerjen e tyre për secilën bashki paraqitet mikse.
Në 2024 nga të dhënat e raportit evidentohet se 14 bashki kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa 3 bashki si ajo e Këlcyrës, Patosit dhe Mallkastrës nuk kanë krijuar detyrime të prapambetura të reja në 2024.
Po ashtu në 2024, sipas raportit 4 bashki në rang vendi paraqiten në vështirësi financiare, si bashkitë: Kavajë, Vorë, Cërrik, Dimal.
Sipas ligjit “Për financat vendore” nëse niveli i detyrimeve të prapambetura është më i lartë se 25% e shpenzimeve që bashkitë kanë bërë me burimet e veta ato konsiderohen në vështirësi financiare.
Nga totali i shpenzimeve që Bashkia Kavajë ka bërë në 2024 me burimet e veta, rreth 59% e tyre janë me borxhe të papaguara. Në Vorë shpenzimet me borxhe zenë 40%, në Dimal rreth 33% dhe në Cërrik rreth 37%.
Por pavarësisht se vlerat relative të detyrimeve të prapambetura për këto bashki janë poshtë nivelit prej 80% të kufirit ligjor të jeluar në raport rekomandohet se këto Bashki duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha si në kahun e të ardhurave dhe në atë të shpenzimeve për të ulur më tej këtë nivel të lartë detyrimesh përgjatë vitit 2024 e në vijim.
Ndërsa për dy bashkitë Kavajë dhe Vorë që paraqiten në situatën e vështirësisë serioze financiare raporti i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë thotë se sipas ligjit “Për financat vendore” hapat që parashikohen për të mundësuar daljen nga vështirësitë janë:
“Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose kur e konstaton vetë, i propozon Këshillit të Ministrave masat për daljen nga situata e vështirësisë serioze financiare.






