Sot është shënuar Dita kombëtare e Rinisë që shënon edhe 27 vjetorin e pluralizmit në Shqipëri. Në këtë datë në vitin 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

8 dhjetori është Dita kombëtare e Rinisë, një ditë që shënon dhe 27-vjetorin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetë izolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Studentët protestues të dhjetorit të 1990-së kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Artikulli paraprakOPERA “FLAUTI MAGJIK”
Artikulli tjetërNIS PUNA PËR NDËRTIMIN E XHAMISË NË DRAÇIN