
Policia e Shkodrës ka hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur më 21 maj, ku u dhunua drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Ramir Haderi.
Në kuadër të hetimeve, është arrestuar shtetasi Elis Ç, banues në lagjen “Kiras”, i dyshuar se ka ndihmuar autorin e sulmit duke e transportuar me automjet para dhe pas ngjarjes.
Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe personin e dyshuar si autor të drejtpërdrejtë të goditjes ndaj Haderit, i cili është shpallur në kërkim. Forcat e rendit po vijojnë operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sulmi ndodhi në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku drejtori i AKU-së u godit fizikisht nga një person që më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë, Haderi pësoi dëmtime në zonën e vetullës dhe mori ndihmë mjekësore.
Një ditë pas incidentit, ai reagoi publikisht duke deklaruar se nuk do të tërhiqej nga detyra dhe se do të vijonte punën normalisht.
Hetimet janë ende në zhvillim për të zbardhur plotësisht motivet e ngjarjes. Sipas burimeve hetimore, dyshohet se sulmi mund të ketë lidhje me detyrën e Haderit, ndërsa po verifikohet edhe mundësia e një sulmi të organizuar.
Policia e Shkodrës bën me dije se po punon për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje.


