Denoncimet e dhunës në familje vijojnë të mbeten alarmante edhe për vitin 2017. Deri në shtator të këtij viti janë evidentuar 3460 raste dhune, prej të cilave 2468 gra dhe vajza kanë mbetur të dëmtuara. Bajana Çeveli, drejtuese e Rezolutës 1325 për sigurinë e grave, e vë theksin edhe tek mungesa e zyrës së emergjencës në shumë prej bashkive të vendit.

 “Deri në muajin shtator kemi 3460 gra, të cilat kanë urdhra të mbrojtjes, apo urdhra të menjëhershëm të mbrojtjes tregon një shifër jo të vogël për efektin e saj se sa të sigurta janë këto gra, çfarë ligjesh apo masash merren ndaj këtyre grave, të cilat tashmë kanë një urdhër mbrojtjeje”, tha ajo. Sipas Çevelit mbeten ende një problem edhe marrja e urdhrave të mbrojtjes. “Një grua e dhunuar ndjehet e pasigurt, sepse në Shqipëri, statistikisht 61 bashki apo komunist siç i thonin, por tani me ndarjen e re administrative kemi bashki, vetëm 37 prej tyre e kanë një zyrë të barazisë gjinore. Bashkitë janë shumë pak me qendra emergjence. A nuk është kjo një pikë që duhet futur në ndryshimin e ligjit që ndodh tani, së shpejti, për masat kundër dhunës në familje? Është pika kryesore.

Qendrat e emergjencës për gratë e dhunuara duhet të jenë në çdo bashki. Kemi disa abshki të vetme, Tirana, Shkodra, Vlora, Elbasani, që kanë qendra emergjence. Gruaja e dhunuar ka një sistem që për 48 orë duhet të qëndrojë në familjen e saj. A mund të qëndrosh me dhunuesin në një moment ku ti tashmë e ke deklaruar si një person i cili ka ushtruar dhunë ndaj teje? Atëherë është e detyruar të kthehet sërish në shtëpinë e vet. Është 48 orë urdhri i mbrojtjes, por nëse qëllon e shtunë dhe e diel i bie që ajo grua të rri dhe tri-katër ditë pa urdhër mbrojtjeje”, theksoi Çeveli. Në vitin 2016, 4200 gra dhe vajza denoncuan dhunën në familje, ku mes tyre 18 humbën jetën për shkak të dhunës së ushtruar. Ndërsa deri në shtator të 2017 prej 11 vrasjeve të ndodhura në familje, 8 prej viktimave ishin gra dhe vajza.